28 Nëntori, Vetëvendosje fton shqiptarët në manifestimin e Prishtinës

26/11/2015 11:50

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë shpalosur këtë të enjte, në një mur në qendër të Prishtinës, një flamur kuqezi me mbishkrimin “28 nëntor, manifestojmë për Republikën, kundër Zajednicës dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”.

Përfaqësues të tri subjekteve opozitare thanë se, ky aktivitet është vazhdimësi e aktiviteteve për sensibilizimin e qytetarëve për një manifestim paqësor.

“Aksioni i sotëm shërben si një ftesë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që në mënyrën më paqësore, më dinjitoze dhe më madhështore, në datën 28 nëntor, ora 14:00, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, së bashku të manifestojmë kundërshtimin tonë ndaj këtyre dy marrëveshjeve dhe të festojmë festën më kuptimplotë kombëtare”, tha Driton Çaushi, LVV.

“Kemi përcaktuar që t’i thërrasim qytetarët tanë pikërisht më 28 nëntor, që bashkërisht të manifestojmë kundërshtimin tonë kundër marrëveshjeve të dëmshme, që dalin nga kryeqeveritarët”, tha Fitim Selmani, AAK.

“Do të manifestojmë dhe do të shprehim kundërshtimin e vendosur kundër këtyre dy marrëveshjeve, tepër të dëmshme dhe kërcënuese për Kosovën”, tha Xhevat Bislimi, Nisma për Kosovën.

Këtij aktiviteti i parapriu një konferencë për media, ku kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri bëri publike anëtarësimin e ish-Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, në këtë subjekt politik.

I pyetur si ish-Avokat i Popullit për qëndrimin në arrati të deputetëve të Vetëvendosjes, Kurteshi tha se ata po ndiqen për veprime politike dhe e cilësoi si diskriminues pushtetin, duke përmendur faktin që nuk pati asnjë veprim për vizitën ditë më parë, të gjeneralit Dikoviç në Kosovë, edhe pse i dyshuar për krime lufte.

Top Channel