“F1 ka humbur interesin në Gjermani sepse nuk ka një tjetër Schumacher”

26/11/2015 00:00

Interesi për Formulën 1 në Gjermani ka pësuar rënie dhe kjo e ka befasuar jo pak pilotin Nico Rosberg. Gjermani i Mercedesit e ka pohuar këtë në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca“. Së fundmi, promovuesit për garën e Gjermanisë në Formulën 1 po hasin vështirësi për të siguruar shitjet e të gjitha biletave në tribuna dhe për të paguar detyrimet financiare ndaj Bernie Ecclestone për të organizuar sërish një garë në këtë vend.

“Ishte zhgënjyes fakti që Gjermania e humbi mundësinë për të zhvilluiar një garë këtë vit, por vitin tjetër ajo do të jetë sërish në kalendar. Një kampionat pa garën e Gjermanisë është disi i çuditshëm. Ne e humbëm atë pasi Ecclestone kërkonte para’. Për më tepër, ka edhe një problem tjetër: interesi për Formulën 1 nuk është kaq i madh sa në vitet e kaluara. Në Meksikë pamë entuziazmin e tifozëve dhe ishte diçka fantastike, por në Gjermani kjo nuk po ndodh më“, u shpreh Rosberg.

Sipas gjermanit, gjërat në vendin e tij kanë ndryshuar shumë që nga koha e largimit të Michael Schumacher.
 
“Situatat janë tjetërsuar që nga periudha e Schumacher. Ne e pamë një situatë të tillë edhe në tenis me Boris Becker, i cili pas paraqitjeve fantastike pësoi rënie në lojën e tij. Tani jemi unë e Vettel, por askush nga ne nuk është Schumacher. Ajo që ka rëndësi tani është të kuptojmë çfarë po ndodh dhe të përpiqemi të përmirësojmë këtë gjendje”, tha Rosberg.

Top Channel