Lotus, i pranishëm në garën e fundit sezonale të Formulës 1

26/11/2015 11:10

Lotus do të jetë e pranishme në garën e fundit të Botërorit të Formulës 1 që do të zhvillohet në Abu Dabi. Ditët  e fundit, në ambientet e këtij kampionati u rritën dyshime të mëdha në lidhje me garimin e kësaj skuadre për shkak të mungesës së personelit dhe stafit teknik të saj në pistën e Jas Marinës, por gjërat ndryshuan dhe tashmë skuadra e Lotusit ka mbërritur në Abu Dabi për të zhvilluar normalisht garën e kësaj fundjave.

Zyrtarisht nuk dihen arsyet e kësaj vonese në mbërritjen e Lotusit në Abu Dabi, por ka shumë të ngjarë që ato të lidhen me vështirësitë në pagesat e saj për garat e këtij sezoni. Kohët e fundit, Lotusi ishte përfshirë në bisedime me Renault, me këtë të fundit që kërkon ta blejë atë për të qenë e pranishme në Botërorin e Formulës 1 me një skuadër të vetme.
 
Vetë Gerard Lopez e konfirmoi një gjë të tillë fuindjavën e kaluar, kur në një intervistë për Sky tha se tashmë marrëveshja mes palëve për blerjen e Lotusit nga ana e Renault është arritur.

Top Channel