Bllokimi i llogarive, Pallati i Rinisë në probleme financiare për shlyerjen e borxheve

25/11/2015 00:00

Pasojat e zjarrit të para 15 viteve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, kanë filluar t’i ndiejnë edhe pronarët e lokaleve afariste, që nuk kanë pasur të bëjnë fare me incidentin.

Kjo, pasi Pallati i Rinisë nuk ka mundësi financiare të paguajë borxhin disa milionësh kundrejt pronarëve të depove të djegura në vitin 2000, në favor të të cilëve vendosën edhe organet gjyqësore.

Të mërkurën, të paktën një pronar depoje zgjodhi një formë tjetër kompensimi. Përmes përmbaruesve privatë, ai ka zgjedhur dy lokale brenda pallatit duke kërkuar shitjen e tyre, që më pas të përfitojë nga blerësit e mundshëm. Një nga këto lokale është një ëmbëltore ikonë e Prishtinës dhe qytetarëve të saj. Kjo situatë ka nxitur reagimin e ashpër jo vetëm të pronarëve, por edhe qytetarëve dhe sindikatës së punëtorëve të pallatit.

“Ne jemi mbledhur këtu për të mbrojtur të drejtat tona, sepse me bllokimin e llogarive bankare ne nuk mund të ekzistojmë. Duhet ta mbyllim si afarizmin, si sportin, si kulturën”, tha Enver Musiçi, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve.

Pas kësaj situate, por edhe me kërkesë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nën mbikëqyrjen e së cilës është pallati, vendimi për hedhjen në shitje të këtyre lokaleve është shtyrë të paktën për një muaj.

Këtë e konfirmuan edhe zyrtarët e AKP-së, që prej kohësh funksionon pa bord drejtorësh dhe që, përveç të tjerash, ka lënë mjediset edhe pa kontrata qiraje. Problemet e vërteta në funksionimin e Pallatit të Rinisë si qendër e rinisë, kulturës dhe sportit në Prishtinë, kanë nisur nga komenti kur me vendim të gjykatës, për shkak të borxhit, janë bllokuar edhe llogaritë bankare.

Top Channel