Dhuna ndaj grave në Kosovë, Avokati i Popullit shpreh rezerva për ligjin

25/11/2015 00:00

Në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë tërhoqi vëmendjen për mungesën e zbatimit të ligjit në mbrojtje të grave.

Në Kosovë ekziston një bazë e qëndrueshme ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje, përfshirë këtu edhe ligjin për kompensim të viktimave të krimit, i cili përveç se u njeh viktimave të dhunës në familje të drejtën e kompensimit financiar, vazhdon të jetë i pazbatueshëm nëse konsiderohen si viktima të veprave të dhunshme penale, vlerëson Avokati i Popullit të Kosovës.

Në një deklaratë për shtyp, ky institucion vë theksin në domosdoshmërinë e reagimit në kohë dhe në mënyrë të përshtatshme nga autoritetet kompetente, veçanërisht në rastet kur dhuna në familje lajmërohet në polici.

“Është i pajustifikueshëm mosveprimi apo dështimi i institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimën/at. Ka disa raste të bëra publike, përfshirë edhe ato që janë shënuar gjatë këtij viti, ku si pasojë e dhunës në familje dhe si rezultat i mosveprimit të autoriteteve kompetente kemi pasur humbje jete”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ky institucion.

Avokati i Popullit konsideron se, është e nevojshme që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të përfshihet edhe Konventa e Këshillit të Europës (Konventa e Stambollit) për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2014. Një thirrje e tillë bëhet edhe në strategjinë për zgjerim të Komisionit Europian.

Top Channel