Ecclestone: Ferrari, pjesa më e mirë e Formulës 1

25/11/2015 14:35

Ferrari ishte skuadra që u përpoq t’i hapte më shumë probleme Mercedesit në Botërorin e Formulë 1 të këtij viti. “Kokëkuqja” italiane gjatë vitit 2015 u shfaq shumë herë më mirë se në vitet e kaluara dhe këtë e tregon fakti se ajo fitoi 3 gara, ndërkohë që shënoi edhe shumë podiume me Sebastian Vettel, por edhe me Raikkonen.

Për këtë paraqitje mjaft të mirë të Ferrarit foli edhe Bernie Ecclestone, i cili në  një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” deklaroi se rezultatet e skuadrës italiane ishin lajmi më i mirë për këtë kampionat.

“Pjesa më e mirë e Formulës 1 mund të përmblidhet me një fjalë: Ferrari. Rikthimi i kësaj skuadre te fitorja ishte shumë i rëndësishëm për këtë kampionat. Në fakt, një gjë e tillë pritej, por askush nuk e mendonte se kjo do të ndodhte kaq shpejt”, tha Ecclestone, i cili shtoi se kalimi i 4 herë kampionit të botës Sebastian Vettel pati një impakt pozitiv për makinën italiane.

“Unë e mbështeta kalimin e Vettel te Ferrari dhe kur pashë që ai fitoi garën në Sepang, për mua kjo ishte diçka fantastike”, deklaroi Ecclestone.

Top Channel