Isa Mustafa ndalet në landet jugore të Gjermanisë

25/11/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka filluar një vizitë zyrtare në landet e Baden-Württembergut dhe Bavarisë, në Gjermani.

Gjatë këtyre dy vizitave, kryeministri kosovar, i shoqëruar nga ministrat e Tregtisë e Industrisë, Zhvillimit Ekonomik dhe atij të Punës e Mirëqenies Sociale, do të priten nga kryeministrat e dy landeve, Winfried Kretschmann dhe Horst Seehofer.

Sipas njoftimit për media të dërguar nga Qeveria, kryeministri Mustafa do t’i njoftojë dy homologët për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Prishtinës për thellimin e bashkëpunimit me këto dy lande, si dhe me Republikën Federale të Gjermanisë në tërësi.

Delegacioni qeveritar i Kosovës do të zhvillojë gjithashtu takime të përbashkëta me dhjetëra biznese të rëndësishme gjermane, si dhe do të vizitojë disa nga kompanitë gjigante prodhuese të ekonomisë gjermane.

Gjatë këtyre vizitave, kryeministri Mustafa dhe ministrat përkatës do t’i njoftojnë përfaqësuesit e bizneseve gjermane me avancimin e vazhdueshëm të kushteve të të bërit biznes në Kosovë dhe mundësitë e burimet e mëdha, si dhe do t’i ftojë ata të investojnë në Kosovë.

Top Channel