Kualifikohen Barça dhe Bajerni; katalanasit shkatërruan Romën, gjermanët Olimpiakosin

25/11/2015 00:00

Barcelona, Bajern Mynih dhe Zenit kanë siguruar kualifikimin për në raundin tjetër të Ligës së Kampioneve falë fitoreve të fundit në grupe.

Katalanasit e Luis Enrique shkatërruan 6-1 në “Camp Nou” Romën, skuadër e cila tashmë e ka vënë në rrezik kalimin mes më të mirave të këtij kompeticioni, pasi në ndeshjen e fundit duhet të shpresojë në një dhuratë të Barçës.

Kampionët e Gjermanisë, nga ana tjetër, mposhtën 4-0 Olimpiakosin dhe forcojnë pozitat në vendin e parë të grupit F, me 12 pikë. Fitorja e Bajernit i ka shërbyer më shumë Arsenalit, që pas triumfit 3-0 me Dinamon e Zagrebit është futur sërish në lojë për një vend në raundin tjetër të Championsit.

Rezultatet e së martës e kanë komplikuar edhe më shumë situatën në grupin G. Porto u mund në fushën e vet nga Dinamo e Kievit, ndërkohë që Çelsi triumfoi 4-0 ndaj Makabit të Tel-Avivit, duke iu bashkuar portugezëve në krye të grupit me 10 pikë.

Në turin tjetër u kualifikua edhe Zeniti, i cili mposhti të martën 2-0 Valencian, duke e bërë të pamundur arritjen nga ana e kundërshtarëve. Surpriza e këtij grupi është skuadra belge e Gentit, që mundi në Francë 1-2 Lionin, triumf ky që i ngjit ata në vendin e dytë me 7 pikë.

Top Channel