“Kosova e Re”, KOSID: Projekt jo transparent

24/11/2015 14:00

Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka shprehur shqetësimin mbi vendimin e fundit të Komitetit Ndërtimor për Projektin “Kosova e Re”, i cili i është dhënë kompanisë amerikane Contour Global, si ofertues më i preferuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re.”

Visar Azemi nga KOSID, në konferencë për media, tha se ky projekt po përcillet me jo transparencë dhe vendime të marra larg opinionit publik, duke shtuar se qytetarët do të kenë kosto të madhe: “Jemi informuar që komiteti drejtues tanimë ka vendosur që kompaninë Contour Global ta shpallë si ofertues të preferuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Edhe një herë, ne si Konsorcium i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm jemi thellë të shqetësuar se si po ecet me këtë projekt, me një jo transparencë kaq të madhe, me vendime që merren jashtë opinionit publik, pa asnjë konsultim për shifra kaq të mëdha të investimeve në fushën e sektorit të energjisë, e cila është një fushë me probleme jashtëzakonisht të mëdha, me probleme të cilat kanë kosto jashtëzakonisht të madhe, ku qytetarët Kosovës do ta kenë tejet të vështirë ta përballojnë një kosto të tillë”.

Rinora Gojani, hulumtuese në INDEP-KOSID, ka shprehur shqetësimin edhe lidhur me atë se si do të mbikëqyret puna e këtij termocentrali, pasi për këtë marrëveshje është lënë anash edhe Kuvendi i Kosovës: “Na shqetëson fakti që në këtë fazë, nëqoftëse Parlamenti i Kosovës anashkalohet, atëherë si do të mbikëqyret puna e këtij termocentrali nga ky institucion, i cili është një institucioni më i lartë mbi të cilin do duhet të kalonin këto projekte kaq të mëdha dhe me ndikim kaq të madh. Gjithashtu, është edhe ndikimi social që ky termocentral do të ketë për shkak se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë tani është i papërballueshëm. Qytetarët vetëm kanë nënshkruar peticione dhe shfaqin pakënaqësi për çmimin e energjisë elektrike të cilin e paguajmë tani e mos të flasim për rritjen e cila do të ndodhë si rezultat i ndërtimit të këtij termocentrali”.

Përfaqësuesit e KOSID-it ndër të tjera thanë se do ta dërgojnë çështjen në Agjencinë Antikorrupsion, për të parë nëse marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” janë legjitime.

Top Channel