NBA, fitojnë San Antonio dhe Miami

24/11/2015 12:00

San Antonio Spurs nuk ndalet në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Skuadra teksane mposhti në “AT&T Center” Phoenix Suns me rezultatin  98-84, duke regjistruar fitoren e 11 sezonale. San Antonios i mjaftuan fitoret në dy periodat e para për të siguruar avantazhin e mjaftueshëm në këtë ndeshje dhe për ta mbyllur atë në favor të saj.

Leonard me 24 pikë dhe 13 topa në tabelë dhe Tony Parker me 8 asist ishin ata që e udhëhoqën drejt fitores skuadrën teksane, që ndodhet në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit.

Fitore shënoi edhe Miami Heat që mundi në “American Airlines Arena” skuadrën e New York Knicks 95-78. Miami ishte dominues në 2 periodat e para, të cilat i fitoi me një diferencë me 12 pikë. New York u përpoq të bënte diçka në dy periodat e tjera, por pa mundur dot të evitojë këtë disfatë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Charlotte Hornets mundi Sacramento Kings 127-122, Cleveland Cavaliers fitoi ndaj Orlando Magic 117-103, Minnesota Timberwolves mundi Philadelfia 76ers 100-95, ndërsa Oklahoma City Thunder mposhti Utah Jazz 111-89.

Top Channel