Perez: Mbështetje e plotë për Benitezin

24/11/2015 11:40

Ashtu siç pritej, Rafael Benitez konfirmohet në pankinën e Realit të Madridit. Presidenti i klubit “merengues” u shfaq në një konferencë për shtyp të hënën, ku shprehu besimin e drejtuesve të “Los Blancos” në drejtim të teknikut spanjoll, për të cilin tifozët në Bernabeu kërkuan largimin nga stoli i skuadrës pas humbjes 0-4 në “Klasiken” ndaj Barcelonës.

“E analizuam me kujdes situatën dhe dua t’ju bëj të ditur se trajneri Benitez ka të gjithë mbështetjen dhe besimin tonë. Ai u zgjodh të drejtojë Realin për profesionalizmin, arritjet dhe eksperiencën e tij. Ai e ka aftësinë për të marrë më të mirën nga kjo skuadër, që kohët e fundit ka qenë në rënie. E kuptoj zemërimin e tifozëve pas rezultatit të së shtunës, por Benitez sapo e ka nisur punën e tij. Le ta lëmë atë të lirë dhe fitoret do të vijnë shumë shpejt”, tha Perez.

Por në shënjestrën e zemërimit të tifozëve në përfundim të sfidës me Barcelonën u vu edhe vetë Perez, të cilit iu kërkua dorëheqja nga posti i presidentit të klubit 10 herë kampion Evrope. Perez deklaroi se nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, duke hedhur poshtë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në klubin madrilen. Në të njëjtën kohë, ai nuk ngurroi të sulmojë edhe median spanjolle, e cila, sipas tij, po kërkon të destabilizojë Realin e Madridit. Perez nuk e la me kaq. Kreu i “Los Blancos” theksoi se ata që thërrisnin në kor për dorëheqjen e tij në “Santiago Bernabeu” ishin anëtarët e grupit të tifozëve ekstremistë “Ultra Sur”.
 
Rafael Benitez është trajneri i dhjetë i Realit të Madridit që nga momenti kur në krye të klubit “merengues” erdhi Florentino Perez. Në drejtimin e tij në këtë sezon, Reali e ka siguruar matematikisht kualifikimin në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve, ku këtë mesjave skuadra spanjolle do të luajë ndaj Shakhtarit në Ukrainë.

Top Channel