Kosovë, opozita i dorëzon firmat e peticionit tek Presidentja

23/11/2015 17:35

Përfaqësues të tri subjekteve opozitare në Kosovë kanë dorëzuar te Presidentja Atifete Jahjaga peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve që kundërshtojnë marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Deputetët e VV-së, AAK-së dhe Nismës, të cilët dërguan materialet e peticionit në Presidencë, thanë se Jahjaga e ka rastin të dëshmojë unitetin e popullit dhe të përdorë peticionin si argument para koalicionit qeverisës për t’i ndaluar marrëveshjet.

Glauk Konjufca, deputet i VV-së: Zgjidhja e krizës politike dhe përpjekja e Presidentes presim të shkojë në këtë drejtim që ajo të dalë përballë pushtetit qeveritar të Isa Mustafës e Hashim Thaçit dhe para duarve të saj ta mbajë atë që është zëri i 205 mijë qytetarëve, që pushteti t’i rimendojë marrëveshjet që i ka nënshkruar.

Valdete Bajrami, deputete e Nismës: Është kërkesë e qytetarëve që këto marrëveshje të mos zbatohen në vendin tonë dhe si të tilla janë të papranueshme qoftë për opozitën, qoftë për qytetarët e Kosovës.

Pal Lekaj, deputet i AAK-së: Shprehëm gatishmërinë tonë si opozitë e bashkuar që jemi të vendosur edhe më tutje që me të gjitha mjetet demokratike t’i kundërshtojmë këto dy marrëveshje që shkojnë në dëm të vendit dhe në copëtim të vendit.

Deputetët e opozitës thanë se peticioni i qytetarëve kundër Asociacionit dhe demarkacionit do të dorëzohet edhe në institucione të tjera vendore, por edhe tek ato ndërkombëtare.

Top Channel