Shkupi rikthen gardhin në kufi, lejohen vetëm 3 mijë refugjatë në ditë

23/11/2015 00:00

Pas sulmeve terroriste të Parisit dhe njoftimeve se, të paktën dy prej agresorëve kishin kaluar përmes Maqedonisë në rrugëtimin e tyre drejt Belgjikës e Francës, Shkupi vendosi forcimin e kontrollit të  refugjatëve, si dhe përcaktimin e një linje të lëvizjeve të tyre drejt destinacionit të radhës, Serbisë.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë udhëzoi mbrojtjen e kufirit me tela me gjemba në pikat më problematike, siç është zona e Gjevgjelisë në kufirin jugor me Greqinë. Me masat e reja, numri i refugjatëve që kalojnë nëpërmjet të ashtuquajturit “itinerar ballkanik” do të kufizohet në 3 mijë personat në ditë, gjë që sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Mitko Çavkov, nuk ka për të qenë një sipërmarrje e lehtë, nëse shteti helen nuk bashkëpunon duke ulur numrin e azilkërkuesve të nisur drejt Maqedonisë.

Aktualisht, kufirin jugor të vendit e kalojnë çdo ditë 7.000 deri në 9.000 refugjatë. Në pikën kufitare veriore të Tabanocit, situata me emigrantët është tensionuar pas vendimit të Beogradit për të mos lejuar kalimin e refugjatëve që nuk vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Aktualisht, të shpërngulurve nga shtetet afrikane dhe aziatike nuk u lejohet të vazhdojnë më tej rrugëtimin drejt vendeve të Bashkimit Europian. Njerëzit e bllokuar në zonën neutrale mes Maqedonisë dhe Serbisë nuk dinë nga t’ia mbajnë dhe kërkojnë ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Aktivistët e të drejtave të njeriut mendojnë se, seleksionimi i azilkërkuesve, përveç se hap probleme të reja, përbën njëkohësisht edhe shkelje të Konventës së OKB-së për Refugjatët. Sipas tyre, është absurde të bëhet një përzgjedhje e njerëzve që kërkojnë ndihmë, ndërsa e shohin si të gabuar edhe idenë e vendosjes së telave me gjemba, me argumentin se të tilla vendime mund të sjellin një përshkallëzim edhe më të madh të situates së emigrantëve, që lëvizin nëpër Ballkan.

Top Channel