Kosovë, Kuvendi në seancë më 30 nëntor; plot 35 pika rendi dite

23/11/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që deputetët të mblidhen në një seancë të re plenare, e cila është ftuar të mbahet më 30 nëntor, me një rend dite prej 35 pikash të grumbulluara nga seancat e kaluara.

Në këtë mbledhje të Kryesisë mori pjesë edhe përfaqësuesja e opozitës, deputetja Aida Dërguti, e cila kërkoi nga kryeparlamentari dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë, që të mos caktojnë seancë të re.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se, Kuvendi do të vazhdojë me punën dhe detyrimet ligjore, ndërsa ftoi deputetët e opozitës të shmangin dhunën dhe t’i kthehen punës normale në Kuvend.

“Nëse e kanë vendosur vërtet, që përmes bllokimit të punës në Kuvend të realizojnë qëllimet e tyre, të mos përdorin gaz lotsjellës, të mos përdorin mjete të dhunshme, për arsye se jo vetëm janë të dënueshme dhe po inkriminojnë vetveten, në të njëjtën kohë janë edhe të papranueshme. Pastaj, ne do të vazhdojmë punën tonë karshi rregullores së punës së Kuvendit”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Veseli foli edhe për nismën e dy deputetëve të ndërmarrë ditë më parë, për të gjetur një marrëveshje për daljen nga kriza, por – siç tha ai, – opozita nuk dëshiron dialog. Ndërsa, duke folur për protestën e ftuar nga partitë opozitare për më 28 nëntor, Veseli tha se opozita po keqpërdor festat kombëtare për qëllime politike.

“Askush nuk ka të drejtë 16 vite pas luftës, të marrë rolin parësor të gjërave të shenjta dhe t’i përdorë ato për qëllime politike të momentit. Nuk e duan ata flamurin më shumë se ti dhe unë. 28 nëntori nuk është një datë e zgjedhur mirë, për asnjë lloj proteste. Përkundrazi, është pafuqi e tyre. Flamuri kombëtar është i shenjtë për gjithë ne, ashtu siç është i shenjtë nga 17 shkurti edhe flamuri i shtetit”, tha Kadri Veseli.

Edhe në këtë mbledhje të Kryesisë, shefat e grupeve parlamentare të koalicionit qeverisës kanë kërkuar më shumë siguri për deputetët gjatë punës së tyre në seancat plenare.

Top Channel