Mbledhja e qeverisë, Mustafa raporton për vizitën në Bruksel

23/11/2015 16:30

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian janë të shqetësuar për dhunën opozitare në Parlament, duke bërë që Kosova të përmendet si vendi i parë në Europë në të cilën ndodhin situata të tilla.

Ai këto komente i bëri në mbledhjen e qeverisë në të cilën raportoi për vizitën e tij dhe ministrave të tjerë në Bruksel javën që shkoi. Tema të tjera të rëndësishme që janë diskutuar më zyrtarët e BE kanë qenë edhe lufta kundër terrorizmit dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
 
“Te çdo njëri prej tyre kemi parë brengosje për situatën në Parlament. Ata nuk mendojnë se çështjet politike mund të zgjidhen përmes dhunës. Na është thënë se është hera e parë që shohin veprime të tilla në institucionet e një vendi europian”, deklaroi Mustafa.

Në këtë mbledhje qeverie u bë e ditur se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, me një kapacitet prodhimi prej 500 megavat, pritet të nisë më së voni deri në fillim të vitit 2017 dhe ndërtimi i tij do të zgjasë 4 deri në 5 vite.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se rreth 10 mijë vende të reja të punës do ta hapen gjatë periudhës së ndërtimit, ndërsa rreth 550 punëtorë do t’i ketë nga momenti që do të hyjë në funksion.

Qeveria e Kosoves ende nuk e ka zgjidhur mungesën e furnizimit me energji elektrike deri në ndërtimin e termocentralit të ri, pasi kapacitetet e reja nga “Kosova A” me kërkesë edhe të Bashkimit Europian duhet të mbyllen për shkak të vjetërsisë.

Por, kryeministri Isa Mustafa la të hapur mundësinë që në termocentralin “Kosova A” të bëhen investime të reja.
 
“Do të shohim si do ta kapërcejmë periudhën e vakumit energjetik me mbylljen e termocentralit të ‘Kosovës A’ ose të gjejmë një alternativë të zhvillimit të këtij kapaciteti për të cilat është diskutuar në qeveri”, deklaroi Mustafa.

Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e një shume prej 105 mijë euro për Zyrën e Presidentit të shtetit, për sic tha, mbulimin e aktiviteteve te planifikuara për vitin 2015.

Nga rezervat shtetërore u ndanë edhe 13 mijë euro për punën hulumtuese të Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur që do të bëhet në Rashkë të Serbisë.

Top Channel