Kosovë, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni grumbullimet

23/11/2015 12:00

Kërcënimet për sulme terroriste në shtetet e Europës duket kanë alarmuar edhe qeverinë e Kosovës.

Autoritetet e sigurisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin vendet e frekuentuara, si koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare.

Kryeministri Isa Mustafa këtë të hënë mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar pikërisht mbi rrezikun e sulmeve terroriste në vend.

“Kosova është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe ka përgjegjësitë e saj në këtë luftë të përbashkët”, mësohet të ketë thënë kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë, të pranishëm në mbledhje kanë bërë të ditur se janë rritur masat e sigurisë dhe gatishmëria operacionale, ndërsa janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore, në misionet e rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë.

Top Channel