Maqedonia bllokon refugjatët, jashtë kufirit iranianët dhe pakistanezët

22/11/2015 00:00

Qindra refugjatë të bllokuar në zonën kufitare mids Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, kanë protestuar për shumë orë gjatë së shtunës, pasi autoritetet e Shkupit, duke zbatuar kufizimet e vendosura edhe nga shumë shtete të tjera të Europës, nuk lejojnë të kalojnë ata refugjatë, që nuk janë posedues të pasaportave nga Siria, Afganistani dhe Iraku.

Të paktën 2000 iranianë dhe pakistanezë, duke hedhur parrulla për lirinë dhe kundër racizmit kanë kërkuar, që edhe ata të lejohen të shkojnë drejt vendeve të Europës Qendrore.

“Kemi 4 ditë që jemi këtu dhe çdo ditë na kanë thënë se do të shkonim në kamp refugjatësh. Ne do të vijmë përsëri këtu. Nuk duam të shkojmë në kamp, nuk do të kthehemi në vendin tonë, për shkak të problemeve që përballon populli ynë por edhe sulmeve terroriste”, tha Syed, emigrant nga Pakistani.

Kontrollet e reja kufitare me seleksionim në Ballkanin Perëndimor kanë filluar të zbatohen në fillim nga Serbia e Kroacia, pas vendimit të Sllovenisë, që nuk pranon më ata persona, që konsiderohen si emigrantë ekonomikë.

Të shtunën, të paktën 6000 refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Iraku kanë kaluar kufirin grek drejt ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, por gjatë orëve të fundit më shumë se 5000 të tjerë, kryesisht nga Irani, Pakistani, Bangladeshi dhe shtete të tjera, në një tokë asnjanëse presin pas telave me gjemba, ndërsa temperaturat kanë filluar të ulen ndjeshëm.

“Shumica e tyre kanë refuzuar të marrin batanije, nuk duan të kenë as ushqim dhe nuk duan që t’u jepet asnjë ndihmë për momentin”, tha Alexandra Kraus, koordinatore e UNHCR-së.

Të gjitha organizatat ndërkombëtare, që po merren me menaxhimin e çështjes në kufijtë europianë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku kritikojnë kufizimet e vëna rishtazi në Ballkan, duke thënë se profilizimi i refugjatëve dhe emigrantëve në bazë të kombësisë po krijon një situatë gjithnjë e më të pambrojtur.

Sipas UNHCR-së, me gjithë përkeqësimin e motit, më shumë se 4.000 refugjatë dhe emigrantë kanë vërshuar çdo ditë në Europë gjatë këtij muaji, duke shtuar edhe më tepër fluksin e 846,000 personave, shumica e të cilëve sirianë, që janë larguar prej zonave të nxehta të luftës, të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

Top Channel