Barcelona, spektakël në Bernabeu! Mposht 4-0 Real Madrid

21/11/2015 00:00

Barcelona i ka merituar duartrokitjet për lojën që ka bërë në teatrin e futbollit në “Santiago Bernabeu”, që nisi me një minutë heshtje në nder të viktimave të Parisit dhe me tingujt e Marsejezes.

Ndeshja hyri menjëherë në binarët e diktuar nga katalanasit, të cilët e mbyllën me një poker klasiken me rivalët historik të Realit, që ishin thuajse të humbur gjatë gjithë takimit.

Barca arriti të marrë me vete në shtëpi 3-pikëshin falë golave të Neymar, Suarez dhe Iniesta. Ndërsa për Cristiano Ronaldo ndeshja ishte një makth i vërtetë.

Dhe që do të ishte e tillë, kjo u kuptua që në fillim, kur në minutën e ’11 Suarez futi topin në rrjetë. Bomberi uruguaian, i shërbyer me një pasim nga Sergio Roberto, goditi saktë me të djathtën, duke e çuar topin në këndin e majtë të portës kundërshtare.

Dyfishimi i rezultatit erdhi 6 minuta para përfundimit të pjesës së parë, me Neymar që me një goditje me të majtën brenda zonës mposhti portierin Navas.

Fati i takimit u vendos në pjesën e dytë, kur Iniesta, me një asist të Neymar, shënoi golin e çoi rezultatin në 3-0. Numri 8 i katalanasve, i lënë vetëm në qendër të zonës armike, goditi saktë poshtë traversës.

Mungonin 4 minuta dhe Barca zbriti në fushë yllin e saj Leo Messi, në një ndeshje që nuk kishte më kuptim dhe kur djemtë e Luis Enrique vazhdonin të “shkelnin gazin”.

Pikërisht ky insistim bëri që shifrat të shkonin në 4-0, me një god sërish të Suarez, i shërbyer më së miri nga një asist i Jordi Alba.

Kështu, Messi me shokë ngrihen më shumë se 6 pikë mbi Realin në majën e klasifikimit të Ligas, ndërkohë që madrilenët do të përballen me një sërë kritikash, që shënjestër kryesore pritet të kenë trajnerin Rafa Benitez.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel