Real-Barcelona, masa ekstreme sigurie

21/11/2015 12:40

Kthimi për fat të keq i vëmendjes së terrorizmit edhe në evenimente masive sportive, ka bërë drejtuesit e futbollit spanjoll që të kërkojnë masa shtesë për ndeshjen më të pritur të tifozëve iberikë.

Përballja e kësaj të shtune mes Realit të Madridit dhe Barcelonës do të ketë një numër të paprecedent të forcave të sigurisë, të shërbimeve sekrete si dhe stjuard të tjerë që do të vendosen brenda dhe jashtë stadiumit Santiago Bernabeu.

Në vazhdën e frikës që pasoi sulmet terroriste në Paris, autoritetet iberike kërkojnë që El Klasiko e së shtunës në orën 18:15 të mos jetë e cënuar aspak nga ekstremistët. Policia spanjolle ka nisur që në mesjavë të implementojë planin me kontrolle të shtuara në kryeqytet, ndërsa pranë impiantit mitik do të jenë të stacionuar mbi 5 mijë agjentë.

Frika për sigurinë e tifozëve dhe lojtarëve u vu re edhe te trajneri i Realit, Rafael Benitez, që nuk iu shmang pyetjeve jashtë futbollit në konferencën për shtyp.

“Ne duhet të shqetësohemiq ë edhe në ndeshje futbolli po synohen atentate por kemi garancinë e drejtuesve se do të shkojë gjithcka mirë. Kam besim se cdo gjë do të flasë vetëm për futbolin, dhe shpresoj në lojë të bukur” tha tekniku i Realit.

Top Channel