Oferta nga kampionate prestigjioze për talentin shqiptar

20/11/2015 00:00

Shani Tarashaj është një prej të rinjve më premtues në kampionatin zviceran. Për 20-vjeçarin me origjinë shqiptarë, por që aktualisht aktivizohet me 21-vjeçarët e Zvicrës, ka pasur një interesim të madh nga klubet e Serisë A, por jo vetëm.

Ai ende nuk e ka vendosur kombëtaren që do të përfaqësojë në të ardhmen, por javën e fundit ishte njeriu i ndeshjes në fitoren e shpresave të Zvicrës ndaj Anglisë, duke realizuar golin e vetëm të ndeshjes.

Sulmuesi 20-vjeçar mund të transferohet në Itali gjatë merkatos së dimrit pasi për të kanë shprehur interes konkret, Sampdoria, Sassuolo, Torino dhe Palermo dhe agjenti i tij, Milos Malenovic nuk e fsheh një gjë të tillë.

“Shumë klube dhe jo vetëm italiane por edhe angleze, spanjolle, gjermane dhe franceze po e vëzhgojnë. Për momentin nuk mund të flas për asnjë emër konkret”, thekson agjenti në një intervistë dhënë për mediat italiane. Gjithsesi, një pengesë e madhe për largimin e talentit me origjinë shqiptare nga Zvicra do të jetë klubi i Grasshopers që nuk dëshiron ta humbasë sulmuesin në mesin e sezonit pasi ai konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të grupit aktual.

Gianni De Biasi konfirmoi disa muaj më parë se e ka ndjekur nga afër sulmuesin duke konfirmuar se ai është në planet e tij për të ardhmen.

Top Channel