Kërcënimet e Anonymous nuk kanë gjetur krejt të papërgatitur ISIS-in, që quan “idiotë” hakerat e këtij grupi dhe “luftën e shpallur” prej tyre ndaj terrorizmit.

Ushtria Kibernetike Islamike, një grup që vepron nën umbrellën e ISIS-it ka shpërndarë një mesazh të koduar për të gjithë përdoruesit e internetit që mbështesin xhihadizmin radikal, ku udhëzohen sesi t’u mbrohen sulmeve të Anonymous.

Mesazhi është i koduar dhe sipas “New York Magazine” në të thuhet: “Çfarë do të na bëjnë? Maksimumi që mund të marrin është janë llogaritë në Twitter, adresa të postës elektronike e të tjera. Mos vendosni të njëjtin e-mail me emrin e përdoruesit në Twitter. Ky gabim u ka kushtuar shumë simpatizantëve të ISIS-it që kanë humbur tashmë llogaritë e tyre dhe në internet janë publikuar protokollet e internetit, IP”.

Anonymous u shpalli luftë terroristëve pak pas sulmeve të Parisit, ku gjetën vdekjen 129 persona. Përmes një video-mesazhi të publikuar në frëngjisht, ata që njihen ndryshe edhe si “haktivistë”, bëjnë thirrje për luftë masive kibernetike ndaj Shtetit Islamik.

Top Channel