Kosovë, amerikanët e “CG” me status ofertuesi për TEC-in “Kosova e Re”

20/11/2015 00:00

Statusi i ofertuesit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” i është dhënë kompanisë amerikane “Contour Global”, një investim me vlerë prej 1 miliard eurosh, e që pritet të fillojë në fund të vitit 2016 e në fillim të vitit 2017.

Vendimi është marrë gjatë një takimi, ku të pranishëm ishin të gjithë ministrat që janë pjesë e komitetit ndërministror të projektit “Kosova e Re”, së bashku me organizata të tjera, disa në cilësinë e votuesve dhe disa në cilësinë e vëzhguesve.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, i cili tha se finalizimi i këtij projekti pritet të bëhet mes viteve 2021-2022.

“Duke nisur nga sot, ne do të punojmë për 4-6 muaj për përmbylljen e marrëveshjes. Hartohet paketa tenderuese për ndërtim, që do të kërkojë disa muaj, e më pas presim që nga fundi i vitit 2016 dhe fillimi i 2017-s të fillohet me ndërtimin. Prej momentit të nisjes së ndërtimit e deri në futjen në funksion do të duhen disa vite të tjera, ndaj dhe ne konsiderojmë se TEC-i do të jetë mes vitit 2021 dhe 2022”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ministri Stavileci bëri të ditura marrëveshjet e nënshkruara në fillim të këtij muaji mes palës kosovare, Bankës Botërore si partner financiar, si dhe kompanisë së kontraktuar. Sipas tij, kompania e kontraktuar ka propozuar fillimisht një ofertë financiare në intervalin prej 23%-27% të normës së kthimit, ndërsa me këmbënguljen e palës kosovare, kjo normë është ulur në 21,5%.

“Në Uashington kemi rënë dakord që kjo normë të jetë 21.5%, që është një ulje e konsiderueshme. Çështja e dytë për të cilën kemi rënë dakord ka qenë kapaciteti. Jemi pajtuar të kemi një kapacitet gjenerues prej 500 MË”, tha më tej Blerand Stavileci.

Ministri Stavileci theksoi se, në ndërtimin e këtij termocentrali nuk do të ketë kontribut buxhetor nga shteti i Kosovës.

Gjatë negociatave, ministri Stavileci tha se Kosova ka arritur synimet në të gjitha pikat, për të pasur një projekt brenda të gjitha standardeve të pranueshme. Dhe, me ndërtimin e këtij termocentrali, pritet që të zgjidhet përfundimisht problemi në sektorin e energjetikës. Gjatë fazës së ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” pritet të hapen me mijëra vende pune, ndërsa rreth 500 të tilla parashikohen të jenë të përhershme.

Top Channel