Dy lëkundje të tjera tërmeti kanë goditur ishullin perëndimor të Greqisë, Lefkada, ku në fillim të kësaj jave një lëkundje e magnitudës 6,1 la të vdekura dy gra të moshuara, si dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme.

Instituti Gjeodinamik i Athinës ka bërë të ditur se dy lëkundjet e së premtes ishin 4,8 dhe 4,6 ballë, si dhe e kishin epiqendrën nëndet, 300 km (186 milje) në perëndim të Athinës. Megjithatë, deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëmtime.

Tërmeti i së martës shkaktoi dëme të konsiderueshme në disa ndërtesa në ishullin e Lefkadas, si dhe rrëshqitje masive dheu duke ndërprerë komunikimin rrugor.

Lëkundjet nga tërmetet janë të zakonshme në Greqi, që është një prej zonave më aktive në aspektin sizmik të botës, gjithsesi plagosjet apo vdekjet janë shumë të rralla. Një tërmet i rëndë pranë Athinës në vitin 1999 la të vdekur 143 persona dhe shkatërroi një pjesë të madhe të kryeqytetit grek.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel