Serbia mbyll kufirin; vetëm refugjatë nga Siria, Iraku e Afganistani

19/11/2015 00:00

Serbia ka mbyllur këtë të enjte kufirin për refugjatët, që nuk janë me origjinë nga Siria, Iraku apo Afganistani. Këto masa kanë ardhur si pasojë e sulmeve në Paris dhe kërcënimeve për mbyllje kufijsh edhe nga vendet e tjera europiane.

Muhamed Mahru, refugjat nga Afganistani, ka arritur deri në Preshevë, por në mungesë të dokumenteve dëshmitë e tij nuk janë pranuar.

“Kur kam arritur këtu, policia më kërkoi një dokument që e kam humbur në Greqi. Në Maqedoni nuk më kanë dhënë asnjë dokument tjetër dhe këtu nuk më pranojnë, edhe pse si dëshmi kam dokumentet e shkollës që kam qenë në Afganistan. Nuk e di çfarë të bëj”, tha Muhamed Mahru, refugjat.

Policia sugjeron që këta refugjatë të kthehen mbrapsht.

Por edhe për njerëzit si Suel Buja, nga Bangladeshi, ky rrugëtim ka qenë i gjatë.

“Kam bërë këtë rrugë nga Bangladeshi. Në Greqi nuk na thanë asgjë dhe tani s’kam parà as të kthehem”, tha Suel Buja, refugjat.

Për refugjatët, ky është një lajm i keq ndërkohë që ekziston frika edhe nga një krizë e re refugjatësh, të cilët mund të bllokohen në këto zona.

Top Channel