Historiani Buxhovi: Logjika e kalifatit po shkatërron Kosovën

19/11/2015 00:00

Një nga historianët dhe publicistët më në zë të Kosovës, Jusuf Buxhovi, gjatë promovimit të veprës së tij me 5 vëllime “Kosova” në qytetin e Gjakovës, ka paralajmëruar se Kosova është duke u rrezikuar seriozisht edhe nga vet njerëzit e saj. Sipas tij, situatë e pafavorshme për shtetin dhe popullin e Kosovës nuk është vetëm prej zhvillimeve të fundit në nivel botëror.

Buxhovi ka përmendur dy rreziqe kryesore për Kosovën, që sipas tij janë zhvillimet politike të kohëve të fundit në Prishtinë, por edhe rreshtimi i gabuar në krah të ekstremizmit fetar dhe terrorizmit.

“Aktualiteti është tepër shqetësues dhe duhet t’i përgjigjemi me patjetër, nëse do të duam të kemi një të ardhme të sigurt dhe më të qetë për të rinjtë tanë. Pavarësisht se, sot Kosova ka në krahun e saj aleatët më të fuqishëm të botës, si SHBA-të dhe NATO-ja, do të ishte një mëkat i madh – thotë ai, – nëse kjo arritje e jashtëzakonshme gjeopolitike e kombit shqiptar do të degradohej me sjellje të papërgjegjshme politike”, ka thënë nga Gjakova historiani Buxhovi.

“Politika e sotme duket se ka nisur të harrojë faktin, që shteti i Kosovës është një projekt europiano-perëndimor dhe se krijimi i këtij shteti ka përmbushur hapin e fundit të Rilindjes Kombëtare, ndaj dhe ky shtet duhet të ndërtohet e jo të rrënohet. Kosova nuk duhet të kthehet në një vend që plaçkitet, vidhet e degradohet”, është shprehur ai.

Sa i përket çështjes së ISIS dhe sidomos situatës së krijuar në rang botëror pas sulmeve terroriste në Paris, Buxhovi ka thënë se me rëndësi të veçantë do të jetë fakti se ku do të radhiten shqiptarët në zhvillimet e asaj, që ai e quajti si “luftë qytetërimesh, që ndodhin prej 20 shekujsh”.

“Ne jemi një kafshatë e lehtë për t’u kapërdirë. Nëse dikush mendon se shteti i Kosovës duhet të rrënohet në mënyrë që të ndërtohet diçka e re, thjesht sa po rrezikon në tërësi çështjen shqiptare. Nuk kemi asnjë arsye që sot të mendojmë për kalifatin dhe logjikën e tyre. Besimi është e drejtë e njerëzve dhe duhet ta respektojmë, por nuk mund të kthehet kurrsesi në politikë. Sot, për fat të keq, besimi është kthyer në politikë edhe për shkak të papërgjegjshmërisë së politikanëve tanë me koncesionet që kanë bërë ndaj besimeve fetare”.

Top Channel