Superiorja, Skënderbeu ndalet nga Kukësi; Tirana-Laçi mbyllet pa gola

19/11/2015 00:00

Kampionët e Skënderbeut janë thyer sërish, këtë herë në Kukës nga ekipi verilindor, duke koleksionuar kështu humbjen e dytë në këtë kampionat pas asaj me Partizanin, e duke u shkëputur me 4 pikë nga “të kuqtë” e kryeqytetit në renditjen e përgjithshme të Kategorisë Superiore.

Ekipi kuksian i drejtuar nga braziliani Marcelo Troisi iu fal dy golave të shënuar nga një prej brazilianëve të shumtë, Mateus Lima, i cili duket se po e tërheq “zvarrë” ekipin e tij në këtë sezon me 6 gola të shënuar. Ky është një 3-pikësh me shumë vlera për verilindorët, për më tepër që u arrit ndaj një prej ekipeve më të fortë të Superiores dhe 5 herë kampionë të Shqipërisë, në këtë javë të 11 të kampionatit.

Kukësi e nisi menjëherë me gol në vetëm pak sekonda, por anësori nuk do ta lejonte për shkak të pozicioni jashtë loje. Troisi hodhi në fushë një ekip të balancuar, që synonte të mbrohej fort ndaj një rivali si Skënderbeu, por edhe të sulmonte me në sulmues të përkrahur nga 3 të tjerë pas shpine. Ndërsa korçarët zbritën me skemën klasike 4-4-2, me Olayinkan disi më të tërhequr sesa Salihi.

Goli i parë për kuksianët erdhi në minutën e 24-t, kur braziliani Lima fitoi duelin me kroatin Radas dhe me një gjuajtje shtang edhe portierin Shehi. Avantazhin e thelloi sërish braziliani, por këtë herë në minutën e 53-të, pas një asisti të marrë nga Mici. Në momentin kur skuadra korçare duhej të mblidhte forcat për të tentuar të paktën shënimin e një goli e për të shpresuar më pas, vjen edhe ndëshkimi i Liridon Latifit me karton të kuq nga gjyqtari Jemini. Ishte një pretendim për një 11-metërsh nga sulmuesi i bardhekuqve, gjë që u mohua nga mbrojtësi Mici, dhe ky mohim irritoi kosovarin duke e detyruar madje të vepronte rëndë, duke e goditur fierakun.

Gjithsesi, pavarësisht se me 10 lojtarë në fushë, korçarët arritën të shkurtonin diferencën me anë të Olayinkas në minutën e 75-të, pas një goditje me kokë. Shumë shpejt Skënderbeu mund të kishte barazuar rezultatin me Salihin, por vendimtar rezultoi portieri Koçi.

Tashmë korçarët e shohin veten 4 pikë larg Partizanit, që një ditë më parë barazoi pa gola në Vlorë me ekipin e Flamurtarit. Ndërkohë, në “Qemal Stafa” ka përfunduar në barazim pa gola përballja mes Tiranës dhe Laçit. Një ndeshje me pak raste dhe që ka regjistruar 9 kartonë të verdhë, përveç se një nivel të ulët futbolli.

Top Channel