Kontrollohet banesa e babait të Albin Kurtit; policia nuk e gjen deputetin

19/11/2015 17:45

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion kontrolli në shtëpinë e babait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Aksioni ka nisur në orët e pasdites së të enjtes dhe është ndërmarrë për arrestimin e deputetit të Vetëvendosjes. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar për Top Channel se Policia e ka kërkuar deputetin Albin Kurti në banesën tek babai i tij por nuk e ka gjetur për ta arrestuar.

“Po, mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës me njesitet e saj policore, bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore si dhe bazuar në Fletë Arrestet e lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar me kërkimin e personave të kërkuar me fletë-arrest. Në këtë rast në një lokacion në lagjën Aktash të Prishtinës, është kërkuar z.Kurti,  por ai nuk është gjetur në atë lokacion, PK-ja nuk ka realizuar ndonjë bastisje, por vetëm kontroll për përsonin në fjalë”, ka thënë Kelani.

Sipas Kelanit, të gjitha veprimet policore janë realizuar konform autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin kompetente.

“Policia e Kosovës, bazuar në mandatin ligjor që ka do të vazhdoj me realizimin e fletëarresteve të lëshuara nga organet e drejtësisë”, tha Kelani.

Babai i deputetit të Vetëvendosjes nuk ka dashur të flas për kontrollin e Policisë në banesën e tij.

Ndaj Albin Kurtit ka një fletë-arresti të lëshuar nga prokuroria e Prishtinës. Emri i ish-kreut të VV-së ishte në listën me katër deputetë që akuzohen për trazirat që shoqëruan seancën parlamentare të së enjtes.

Mes tyre është edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e arrestuar mëngjesin e së mërkurës. Ndaj deputetes së AAK-së, Gjykata Themelore e Prishtinës pranoi kërkesën e prokurorisë për 30 ditë paraburgim.

Arrestimi dhe më pas vendimi i gjykatës ngjallën protesta të dhunshme në sheshin Nën Tereza në Prishtinë, ku mbështetësit e opozitës u përleshën për disa orë me policinë.

Top Channel