Hyseni: Policia po zbaton ligjin. Opozita të shmangë dhunën

19/11/2015 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni ka vlerësuar punën e pjesëtarëve të Policisë në protestën e një dite më parë në Prishtinë, gjatë ballafaqimit me krerët dhe aktivistët e opozitës.

Hyseni tha se, në asnjë moment Policia nuk ka marrë dhe nuk do të marrë urdhra politikë, por – siç tha ai, – çdo institucion duhet të mbajë përgjegjësitë dhe të kryejë detyrimet kushtetuese dhe ligjore.

“Kërkesa ime e thjeshtë për Policinë e Kosovës është të zbatojnë ligjin, as më pak e as më shumë. Të kërkosh zbatimin e ligjit nuk është urdhër politik, por detyrim kushtetues i ministrit të Brendshëm, që t’i kërkojë policisë së vendit zbatimin e duhur të ligjit dhe ruajtjen e rendit”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Hyseni u ka bërë thirrje përfaqësuesve opozitarë, të shmangin dhunën ndaj Policisë kur protestojnë, pasi – sipas tij, – policët nuk mund të qëndrojnë gjithmonë indiferentë ndaj sulmeve që marrin. Ai u ka bërë thirrje gjithashtu prindërve, që të mos lejojnë fëmijët minorenë të dalin në protesta, siç janë parë një ditë më parë.

I pyetur për ndjekjen e deputetëve të tjerë opozitarë për t’i arrestuar, ministri i Brendshëm tha se Policia ka pranuar kërkesën nga gjykata dhe policët, thjesht sa po zbatojnë kërkesën legjitime për zbatim të ligjit.

Duke folur për manifestimin protestues, që opozita ka ftuar për më 28 nëntor, ministri i Brendshëm tha se është e drejtë e të gjithëve të protestojnë, por bëri thirrje që ajo të jetë paqësore.

“Nuk e dimë sa të mëdha mund të jenë protestat e ftuara nga opozita. Dhe unë sërish dua ta them qartë dhe me zë të lartë se, protesta është shumë e ligjshme. Le të urdhërojë të protestojë kush të dojë dhe Policia e Kosovës do të jetë aty për të siguruar mbarëvajtjen e një proteste paqësore, por jo të dhunshme. Policia do të jetë aty për të bërë veprimet e duhura, konform me zhvillimet e protestës, në pajtim me ligjin”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Në konferencën para medieve, Hyseni foli edhe për punën që bëjnë institucionet e Kosovës për mbrojtjen nga sulmet e mundshme terroriste. Me këtë rast, Hyseni tha se Kosova, me aq informacione sa ka nuk është ende prè e sulmeve, por në çdo kohë, bazuar mbi kapacitetet që ka, Kosova merr masat e nevojshme për mbrojtje nga çfarëdo lloj sulmi terrorist.

Top Channel