Bosnje, vriten dy ushtarë; rriten masat e sigurisë në Sarajevë

19/11/2015 08:35

Një person i armatosur vrau të mërkurën dy ushtarë boshnjakë dhe plagosi një tjetër, ndërsa e ktheu armën nga vetja pasi policia rrethoi banesën e tij në periferi të Sarajevës.

Agresori, i identifikuar si Enes Omeragiç, hapi zjarr me armë automatike në një pikë bastesh pranë kazermave të ushtrisë, në lagjen Rajlovac të kryeqytetit boshnjak, duke lënë të vdekur në vend dy pjesëtarët e forcave të armatosura.

Pas kësaj, në kohën kur largohej nga vendngjarja, Omeragiç derdhi një breshëri plumbash ndaj një autobusi që kalonte aty pranë, duke plagosur një ushtar të tretë.

Nga copat e xhamave të thyer kanë marrë lëndime të lehta edhe shoferi i autobusit dhe dy pasagjerë civilë. Episodin e dhunës e konfirmoi vetë kryeministri Denis Zvizdiç, pas takimit urgjent të qeverisë boshnjake, të nxitur pikërisht nga ngjarja e rëndë.

“Një plumb i lëshuar drejt një pjesëtari të forcave tona të armatosura është plumb i hedhur drejt Bosnje-Hercegovinës. Akte të tilla do të ndëshkohen, askush nuk do të lejohet të ngrejë armën kundër një personi me uniformë. Nuk japim dot informacione më të detajuara pasi ngjarja është nën hetim. Do të presim raportin e prokurorëve e mbase shumë shpejt do të mësojmë arsyet që çuan në një veprim të tillë”, deklaroi Zvizdiç.

Kreu i ekzekutivit shtoi se nga ky moment siguria do të rritet në nivel maksimal, me qëllim parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.

Fqinjët e Omeragiç tregojnë se kohët e fundit ai ishte kthyer në ndjekës të flaktë të lëvizjes ultra-konservatore myslimane salafite. Një pjesë e mbi 200 luftëtarëve boshnjakë që i janë bashkuar grupit Shteti Islamik në Siri vijnë pikërisht nga komunitetet e izoluara salafite.

Ndikimi i brigadës së muxhahedinëve të Bosnjës është ndjerë nëpër botë për më shumë se 20 vjet. Mes atyre që janë influencuar prej saj ishte edhe Khalid Sheikh Mohammed, ideatori i sulmeve terroriste të vitit 2001 në SHBA.

Qindra të tjerë iu bashkuan Al-Kaedës në Afganistan e luftuan dhe në Çeçeni e Pakistan, ndërsa sot po i bashkohen atij që është grupi më i rrezikshëm ekstremist i momentit, ISIS. 

Top Channel