Serbët e veriut ndalojnë ministrin Hoti të shkojë në Jarinjë

18/11/2015 00:00

Serbët e veriut pengojnë ministrin kosovar të Financave, Avdullah Hoti të zhvillojë një vizitë zyrtare në pikën kufitare të Jarinjës në veri të Kosovës.

Bëhet fjalë për një protestë të serbëve të nisur para se eskorta e ministrit Hoti të kalonte andej, por që policia pas vlerësimit të situatës së sigurisë, ka vendosur që delegacioni qeveritar të kthehet prapa.

Zëvendëskomandanti i policisë për veriun, Besim Hoti tha për “Top Channel” se janë dy arsye përse serbët këtë të mërkurë janë mbledhur në dy rrugët magjistrale që çojnë në dy pikat kufitare në veri.

E para sipas tij, ka të bëjë se pjestarë të komunitetit serb kanë deklaruar se kanë informata që aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje do të shkojnë në veri dhe e dyta ndërlidhet me mos zbatimin e marrëveshjes për krijimin e asociaiconit të komunave me shumicë serbe.

Hoti bëri të ditur se rreth 300 serbë kanë marrë pjesë në këto protestë dhe rruga është bllokuar edhe me kamionë dhe protesta ka qenë nën organizimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

Ai shtoi se policia ka vlerësuar që për shkak të situatës së krijuar minsitri Hoti ta shtyjë vizitën në pikën kufitare në Jarinjë për nje ditë tjetër.

Ndërkohë që protesta ka përfunduar në orët e pasdites, një tjetër zyrtar i qeverisë së Kosovës është bllokuar në pikën kufitare në veri. Bëhet fjalë për kryeinspektorin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Lulzim Syla, i cili ishte në detyrë zyrtare për të kryer kontrolle të cilësisë së naftës.

Policia bëri të ditur se Syla ka shkuar në kufi pa ndonjë problem, pasi protesta ende nuk kishte filluar, por është bllokuar gjatë rrugës së kthimit.

Zyrtarët e ministrisë së financave që ishin pjesë e delegacionit qeveritar, thanë se vizita ka qenë rutinore në doganën e Kosovës në veri. Sipas këshilltares Ardita Dushi, për shkak të situatës dhe me sygjerim të policisë është vendosur që të mos vazhdohet rruga dhe vizita do të bëhet një ditë tjetër.

Top Channel