A e parashikoi Nostradamus ngritjen e ISIS-it?

18/11/2015 16:55

Është folur e stërfolur për parashikimet e Nostradamusit, emri i të cilit s’kishte si të mos qarkullonte këto ditë në media dhe nëpër faqe të ndryshme në internet, ku ata që u besojnë “profecive” të tij interpretojnë sulmet terroriste ndaj revistës satirike Charlie Hebdo dhe ato të së premtes së shkuar në Paris, si nisja e realizimit të tyre.

Pretendohet se Nostradamus ka parashikuar me sukses ngritjen e Napoleonit dhe të Hitlerit, po ashtu edhe sulmet e 11 shtatorit mbi Kullat Binjake në Nju Jork.

Nëse do t’u besohet këtyre parashikimeve, atëherë “Luftë e fundit, ajo e Treta Botërore është duke ardhur dhe do të zgjasë plot 27 vjet”.

Disa studiues të shkrimeve të tij këmbëngulin me vendosmëri se Nostradami ka parashikuar me përpikmëri krimet monstruoze të ISIS-it në Lindjen e Mesme, po ashtu edhe mesazhet e terroristëve për të përvetësuar territore të Europës për të ngritur Kalifatin Islamik.

I lindur me emrin Michel de Nostradame, ai shkruante në shekullin e 16-të për “një ushtri terrori që me përpjekjen e saj për të kontrolluar disa pjesë të Europës, synon të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore”.

E në vazhdën e këtyre pretendimeve dhe besimeve, në rrjetet sociale po përhapet me shpejtësi një postim i hedhur në Facebook fill pas sulmeve mbi zyrat e revistës satirike, Charlie Hebdo.

Postimi përmban pjesë nga një artikull i hershëm gazete me titull “Nostradamus parashikon shkatërrimin e Europës”.

“Një ushtri islamike do të marshojë përmes Europës duke pushtuar dhe marrë territoret deri në Londër. Pushtuesit do të vrasin, djegin e përdhunojnë. Qytete të tëra do të shkatërrohen dhe në marshimin e tyre, kjo ushtri do të ndihmohet nga rusët dhe kinezët”, shkruhet në artikull.

Burimi i artikullit nuk dihet, as data e saktë e publikimit të tij, përveç faktit që bëhet fjalë për shekullin e 20-të dhe kjo del nga rreshtat e shkrimit.

FOTO GALERI
1/1
Artikulli qe po shperndahet me shpejtesi ne internet

Top Channel