Vendos “Ibrakadabra”, Euro 2016 plotëson fazën finale

17/11/2015 22:45

Suedia dhe Ukraina janë dy skuadrat e fundit që i bashkohen trenit kualifikues për fazën finale të Europianit 2016 që do të zhvillohet në Francë, dy emra që dolën vetëm pas përballjeve emocionuese të “play-off”-it.

Në derbin skandinav të zhvilluar në stadiumin e Kopenhagen, suedezët ishin formacioni më i mirë në fushë edhe pse barazuan 2-2, por më parë ishin imponuar 2-1 në Stokholm.

Zlatan Ibrahimovic ishte arkitekti i kualifikimit të miqve në sfidën nordike me dy gola që shtangën vendasit. Në një kundërsulm në minutën e 19, gjiganti me origjinë boshnjake tundi rrjetën e vendasve pas një topi nga e djathta. Numri 10 i Suedisë nuk u impresionua nga kontestimet e danezëve sa herë kapte topin në “Telia Parken”, duke rezultuar vendimtar në kualifikim, këtë herë me një perlë nga distanca.

Zlatan dhuroi golin më të bukur të “play off”, me një goditje dënimi që mashtroi murin dhe portierin Schmeichel. Përgjigja e danezëve me një gol të ndarë mes Poulsen dhe miqve, rihapi ndeshjen por atmosfera elektrizuese u kompletua me barazimin 2-2 nga Vestergaard.

Për trajnerin Morten Olsen që kishte kritikuar ashpër Shqipërinë në eliminatore për shkak të 3 pikëve të fituara në CAS ndaj Serbisë, shkarkimi nga pankina është thuajse i vendosur. 11 vjet më parë një barazim 2-2 kualifikonte të dy skuadrat, por tani i njëjti rezultat, lë jashtë Danimarkën.

Mes finalistëve në Euro 2016 do të ketë një vend edhe për Ukrainën e cila barazoi 1-1 ndaj Sllovenisë në stadiumin e Mariborit, por eliminon ballkanasit pas fitores në ndeshjen e parë 2-0.

Cesar i dha një avantazh të hershëm sllovenëve por kjo ishte pak për të pretenduar një vend në elitën e futbollit kontinental. Në minutën e shtatë shtesë, Yarmolenko ligjëroi festën e ukrainasve.

Suedia dhe Ukraina plotësojnë kuadrin e 24 ekipeve finaliste që tashmë presin shortin e 12 Dhjetorit për të mësuar dhe grupet respektive.

Top Channel