Mes të huajve që shkojnë të luftojnë krah militantëve në Siri, shumë janë nga Ballkani; kryesisht nga Bosnja dhe Kosova, disa nga Serbia e Maqedonia, dhe së fundi dhe nga Shqipëria.

Nuk ekziston një përgjigje e saktë se, çfarë i josh ballkanasit drejt ideologjisë radikale islamike, por ekzistojnë disa fije të përbashkëta, ndër të cilat “Zëri i Amerikës” përmend politikat jofunksionale dhe përkeqësimin ekonomik pas luftës në rajon.

Në Bosnjë, papunësia mes grupmoshës 15-24 vjeç është 63 për qind, ose më e larta në botë. Në Kosovë, është rreth 30 për qind. Padyshim që, me të tilla statistika, ndjesia e përgjithshme mbizotëruese mes të rinjve është ajo e dëshpërimit dhe humbjes së shpresës.

Boshllëkun e lënë pas nga luftrat, në një shoqëri ku janë shembur rregullat e etikës, moralit apo vlerave shoqërore, nxiton ta mbushë ideologjia radikale islamike. Një pjesë e atyre, që shkojnë në Siri, janë nga familje të shpërbëra, me pak ose aspak orientim prindëror. Këta të rinj, shpesh janë mbështetur tek idividë, që pretendojnë se janë udhëheqës fetarë, e që nuk e kanë të vështirë t’i manipulojnë.

Makineria mediatike e ISIS-it, – vazhdon VOA, – po e shfrytëzon vakuumin maksimalisht. Edhe pse faqet e saj zyrtare janë të bllokuara, grupi përdor terma kërkimi dhe “hashtags” për të ndarë online informacionin me pasuesit.

Një ish-anëtar i muxhahedinëve boshnjakë dhe al-Qaedës, Aiman Dean thotë se 20 vite më parë, radikalët i përhapnin mesazhet e tyre te grupe të vogla. Tani interneti e ka ndryshuar këtë prirje. Sot kushdo mund të predikojë, – shprehet ai, – të krijoje një video dhe ta publikojë në internet, duke hyrë kështu në shtëpinë e mijëra njerëzve.

Kaq duhet, që të përhapet mesazhi e të nisë radikalizimi. Ekspertët mendojnë se, problemi i ekstremizmit mund të zgjidhet vetëm nga shoqëria, si një tërësi, ku të japin kontributin e vetë institucionet qeveritare, shkollat, OJQ-të dhe mbi të gjitha bashkësitë fetare, ndërsa i mëshohet fort idesë së afrimit të të rinjve më të rrezikuar nga indoktrinimi.

Top Channel