Hamilton e Vettel, apel për ndryshime teknike në F1

17/11/2015 00:00

Lewis Hamilton dhe Sebastian Vettel kanë bërë apel për ndryshime teknike në Formula 1. Kjo kërkesë e dy pilotëve kryesorë të Mercedesit dhe Ferrarit, erdhi pas asaj që u pa në Çmimin e Madh të Brazilit, ku mungoi spektakli në pistë.

Rosberg fitoi garën, duke e kryesuar atë nga fillimi e deri në fund të saj. Sipas Hamiltonit, ndryshimet duhen bërë në pistë, në mënyrë që të krijohen më shumë mundësi parakalimi.

“Janë drejtuesit më të lartë, ata që vendosin për të bërë ndryshime – tha Hamilton. – Megjithatë, diçka duhet bërë. Janë disa gara, ku një pilot mund të bëjë paraqitje shumë të mira, ndërsa në disa të tjera jo. Sigurisht është diçka e mirë të qëndrosh në krye gjatë gjithë kohës, por tifozët duan të shohin edhe rivalitet në pistë. Në Brazil e kisha të pamundur t’i afrohesha Rosbergut, në një garë që ishte e mërzitshme”.

Ndërsa Vettel theksoi se, një mënyrë për të rritur spektaklin në garat e Formula 1 është duke krijuar goma më të shpejta, duke shtuar se gjithsesi janë të tjerët, ata që vendosin se çfarë do të bëhet.

“Mendoj se pajisja me goma më të mira do të na ndihmojë të garojmë më shpejt – tha Vettel. – Të gjithë pilotët këtë kërkojnë. Kështu që zgjidhja është e thjeshtë. Për fat të keq, ky sport është bërë shumë politik, ku në lojë janë interesat e shumë personave. Do të jetë shumë më mirë, sikur Pirelli të përmirësojë gomat, por për këtë duhet një marrëveshje e të gjitha palëve të përfshira. Nëse kjo mungon, atëherë do të jetë shumë e vështirë që gjërat të përmirësohen”.

Top Channel