Kosovë, opozita sulmon Kuvendin. Përleshje edhe në rrugët e Prishtinës

17/11/2015 00:00

Menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës brenda sallës së seancave plenare në Kuvendin e Kosovës, njësite të forcave speciale të Policisë janë pozicionuar pranë rrethimeve të vendosura paraprakisht rreth institucioneve.

Aktivistë dhe përkrahës të partive opozitare, të cilët po qëndronin para Parlamentit, kanë marshuar prapa ndërtesës, te hyrja e deputetëve, ku edhe ka filluar përleshja me forcat policore.

Fillimisht, aktivistët kanë hedhur bojë të kuqe në drejtim të policisë dhe gurë në ndërtesën e Kuvendit, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Gjatë përleshjes janë dëmtuar edhe disa makina të deputetëve brenda oborrit të kuvendit.

Turma e protestuesve ështe ndjekur me gaz lotsjellës dhe makina të blinduara përgjatë rrugës “UÇK”, ndërsa pak minuta më vonë pati përsëri përleshje në sheshin “Skënderbeu”.

Pas përfundimit të seancës, edhe vetë deputetët e opozitës janë përplasur me policinë, e cila është përpjekur të arrestojë deputetin Albin Kurti jashtë Kuvendit.

Nga zyra e Vetëvendosjes kanë konfirmuar se, pati një tentativë arrestimi ndaj deputetit Albin Kurti, duke shtuar se gjatë kësaj përleshjeje, policia ka ushtruar dhunë mbi të. Nga Vetëvendosje është konfirmuar gjithashtu arrestimi i dy aktivistëve, Shkëlqim Morina dhe Arianit Manxhuka.

Pas konfrontimit me policinë, aktivistë të Vetëvendosjes janë mbledhur para selisë së tyre, nga ku edhe kanë sulmuar një makinë policie, e cila po kalonte pranë ndërtesës.

Në anën tjetër, zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar se gjatë përleshjes janë lënduar 6 zyrtarë policorë, dy prej të cilëve janë dërguar për trajtim në QKUK, pasi kanë pësuar lëndime më të rënda. Kelani bëri të ditur gjithashtu se, te dy të arrestuarit janë gjetur koktej molotovi.

Top Channel