Një tërmet i fuqishëm me intensitet 6.1 të shkallës Rihter ka goditur ishullin grek të Lefkadës, në detin Jon, në orën 9 e 10 të mëngjesit të së martës.

Epiqendra e tërmetit ka qenë 23 km në Perëndim të qytetit të Lefkadës, ndërsa sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, thellësia e tij llogaritet në 5 km.

Sipas informacioneve të deritanishme, dy gra 65 dhe 82 vjeç kanë humbur jetën në fshatrat Ponti Vasiliki dhe Athani, ndërsa 4 banorë të tjerë janë plagosur, midis tyre dy fëmijë.

Tërmeti është shoqëruar edhe me lëkundje të tjera, midis tyre më e fuqishmja është regjistruar 1 orë e 25 minuta më vonë, me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter.

Tërmeti, që është ndierë pothuajse në gjysmën e Greqisë, nga Korfuzi në Peloponez, e deri në kryeqytetin Athinë, ka shkaktuar sipas informacioneve më të fundit dëme materiale në disa prej fshatrave të ishullit, ndërsa banorët në panik kanë dalë jashtë shtëpive të tyre.

Pothuajse gjysma e portit të vogël të fshatit Vasiliki është zhytur në ujë. Në disa fshatra të tjerë është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa janë shkaktuar edhe rrëshqitje dheu në rrugën nacionale. Edhe në spitalin e kryeqytetit thuhet se pacientët dhe personeli kanë dalë përkohësisht jashtë ndërtesës.

Nëpër disa zona kodrinore të ishullit ka pasur edhe shkëputje masive të shkëmbinjve. Në shumë fshatra, por edhe në qytetin e Lefkadës, ku janë dëmtuar disa ndërtesa publike, banorët në panik kanë dalë jashtë nga shtëpitë e tyre.

Sizmiologët po ndjekin me vëmendje fenomenin, që sipas tyre ka lidhje me lëkundjet sizmike që regjistrohen herë pas here në zonën pranë ishullit të Qefalonisë, në detin Jon, në jug të Lefkadës.

Gjithashtu në ishull janë nisur ekspertë dhe një ekip i qeverisë për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar banorët e ishullit.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel