Greqia, jo objekt sulmi. Qeveria: Gabim lidhja e emigrantëve me terrorizmin

16/11/2015 00:00

Ministria greke e Rendit ka informacione se Greqia deri tani nuk përbën objekt për një sulm terrorist.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit ka theksuar se është vërtetuar që personi posedues i pasaportës që është gjetur pranë trupit të një prej kamikazëve në sulmet e Parisit, Ahmad Al Mohammad, ka hyrë në ishullin Lero si refugjat në 3 tetor të këtij viti dhe më pas ka kaluar në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në Serbi, në Kroaci, Austri e më pas gjurmët e tij kanë humbur. Por sipas ministrit grek, nuk duhet të krijohet një lidhje midis çështjes së emigracionit dhe sulmeve terroriste.

“Do të ishte gabim që për shkak të kësaj, të krijojmë një lidhje  të çështjes së migracionit me atë të terrorizmit dhe refugjatët të vuajnë pasojat për shkak të këtij incidenti. Është diçka tjetër të ketë kontrolle më të mira kufitare, sepse është fakt që ai (Almohammad) kaloi nëpër katër vendeve të Europës Qendrore dhe nuk u regjistrua në ndonjë prej tyre dhe është diçka tjetër të mbyllësh kufijtë dhe të ndërtosh gardhe, duke e kthyer emigrimin në një dramë për refugjatët edhe pa zgjidhur problemin e sigurisë në Europë”, u shpreh Janis Muzalas, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit.

Ndërkohë, sulmet terroriste në Paris kanë bërë që edhe në Greqi të rriten në maksimum masat e sigurisë në aeroporte, ku kryhen tashmë kontrolle të hollësishme të pasaportave dhe kartave të identitetit, si dhe në godinat e ambasadave të vendeve, të cilat marrin pjesë në operacionet kundër Shtetit Islamik.

Gjithashtu grupe të Shërbimeve Inteligjente ndodhen në ishujt greke, ku hyjnë refugjatët nga Siria dhe kryejnë kontrolle, duke pasur bazë një listë me të paktën 100 emra të dyshimtë, të cilët kanë nënshtetësi të vendeve europiane.

Top Channel