Shqipëria U21 mposht 2-0 Lihtenshteinin

16/11/2015 20:00

Përfaqësuesja U21 e Shqipërisë fitoi 2-0 ndaj modestëve të Lihtenshteinit, me gola të shënuar nga një për secilën pjesë. Me këtë fitore Shqipëria ngjitet në vendin e dytë në grupin e 4-t kualifikues të Europianit të kësaj moshe.

Kuqezinjtë e vegjël krijuan plot 24 raste për gol, nga të cilat dhjetë goditje në portë, në sfidën e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Por mangësitë e shfaqura në finalizim dhe ndërhyrjet e portierit kundërshtar bën që ndeshja të mbetej e hapur deri në fund.

Duhej të vinte minuta e 19-të që Shpresat të zhbllokonin shifrat me Liridon Latifin. Sulmuesi i Skënderbeut shfrytëzoi pasimin mjaft të bukur të Çekiçit, duke realizuar golin e tretë në këto kualifikuese dhe të dytin në portën e Lihtenshteinit. Pas avantazhit, ishte Qazim Laçi që mund të dyfishonte shifrat, por mesfushori shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme me portën e boshatisur. Portieri i Lihtenshteinit i mohoi gola të sigurt edhe Çekiçit e Rashicës.

Për t’i dhënë qetësi teknikut Jupi mendoi Qazim Laçi, i cili dyfishoi shifrat, pas një aksioni perfekt dhe pasimit me finte të Çekiçit.

Kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 8 pikëve në 6 ndeshje dhe e shohin veten përkohësisht në vendin e dytë në grup.

Top Channel