Kosovë, seancë plenare për buxhetin e vitit 2016 të martën

16/11/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur të mbajë seancë plenare të martën në orën 9:00 me vetëm një pikë rendi dite: shqyrtimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2016. Ky vendim është kundërshtuar nga nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha pas mbledhjes së Kryesisë se, qëndrimi i opozitës për bllokim të Kuvendit nuk është institucional dhe as i arsyeshëm. Ndaj, ai i ka bërë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend dhe të mos përcillet më imazh negativ nga ky institucion.

“Do të kërkoja nga opozita të jetë më e sinqertë me qëndrimet dhe kërkesat e saj, të mos abuzojë siç ka bërë deri më tani, për arsye se e ka tepruar. Të jetë më korrekte edhe me ne kolegët deputetë, sepse nuk u kemi borxh asgjë. Në të njëjtën kohë, duhet të na ofrojnë mundësinë që të punojmë. Përjashtimi nuk është as qëndrimi im si kryetar i Kuvendit, as i kësaj Kryesie, por në momentin kur shohim se tentojnë të na bllokojnë, ne do të veprojmë konform rregullores, në mënyrë që të evitojmë pikë së pari pamjet negative, të cilat po barten nga ky Kuvend me të padrejtë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë, në një konferencë të jashtzakonshme dolën edhe shefat e grupeve parlamentare të opozitës; Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën.

Thirrjen për seancë plenare, partitë opozitare e kanë cilësuar si provokim të situatës politike, ndaj dhe kanë bërë thirrje për anulimin e saj.

“Thirrja e seancës së nesërme është provokim, me paramendim dhe me qëllim, i situatës politike dhe përkeqësim i mëtejshëm i krizës, në të cilën kemi hyrë. Ne i kemi treguar shumë qartë qeverisë së Kosovës se, në këto kushte, mbajtja edhe e një seance tjetër e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të ishte përshkallëzim i situatës, të cilën nuk e dëshiron askush”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV-së.

Në anën tjetër, shefat e grupeve parlamentare të pozitës i kanë dorëzuar Kryesisë së Kuvendit një kërkesë të nënshkruar nga 82 deputetë, për krijimin e kushteve të punës gjatë seancës plenare.

“Është një kërkesë e 82 deputetëve, të cilët kanë kërkuar që t’u krijohen kushte normale për punë, një detyrim ky i të gjithëve ne, konform detyrës që kemi. Ne nuk jemi votuar për të hedhur gaz lotsjellës dhe për të sulmuar njëri-tjetrin. Besoj se organet kompetente i dinë detyrimet e tyre dhe, konform kësaj do të marrin edhe veprime të caktuara”, tha Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.

Lidhur me këtë, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se, përdorimi i deputetëve për të ardhur deri në përdorimin e forcave policore brenda Kuvendit është shpallje e një lufte të hapur ndaj opozitës. Përdorimi i policisë për herë të dytë brenda Kuvendit, sipas tij, do ta përshkallëzonte krizën.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e pyetur nëse edhe të martën gjatë seancës plenare do të përdoret gazi lotsjellës tha se, veprimet e opozitës do të jenë konform situatës së krijuar, ndaj dhe po kërkohet anulimi i seancës, duke shtuar se opozita nuk do të ndalet. Seanca e jashtzakonshme për buxhetin është caktuar me kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa.

Top Channel