F1, skualifikohet Felipe Massa. Humb vendin e tetë në Brazil

16/11/2015 13:50

Felipe Massa e mbylli Çmimin e Madh të Brazilit në vendin e tetë, por Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) e skualifikoi pilotin e skuderisë Williams. Kjo për shkak të parregullsive në temperaturën e gomave të makinës së tij.

Pas matjeve që FIA kreu në makinën e brazilianit, rezultoi që kjo temperaturë ishte 137 gradë, 27 gradë më e lartë se norma e lejuar. Por te skuadra britanike askush nuk është dakord me këtë dënim të organizmit më të lartë të garave automobilistike dhe drejtuesit e Williams vendosën ta apelojnë atë.

“Kemi dy sensorë të ndryshëm në makinat tona dhe sipas tyre, temperaturat e gomave në vijën e nisjes ishin respektivisht 104 dhe 105.7 gradë. Sensorët janë të pavarur ndaj njëri-tjetrit dhe ato konfirmojnë se ne kemi respektuar rregulloren. Për fat të keq, te FIA nuk pranohen matjet që kryejmë ne”, tha shefi i inxhinierëve të Williams, Rob Smedley.

Top Channel