Napoli gjen ekuilibrin me Hysajn në të djathtë të mbrojtjes

16/11/2015 13:35

Napoli ka ndryshuar plotësisht pamje. Në 12 ndeshjet e fundit skuadra e Maurizio Sarrit nuk ka pësuar asnjë humbje dhe kjo falë ndërhyrjes në aspektin taktik të trajnerit italian, i cili ka mundur të aplikojë me sukses skemën 4-3-3. Por, përmirësimet më të mëdha Napoli i pësoi në repartin e mbrojtjes, sidomos në krahë.

Me aktivizimin e Hysajt dhe Gulamit, Napoli ka gjetur ekuilibrin pothuajse perfekt, ndryshe nga sa u pa në 3 ndeshjet e para. Në atë periudhë, Sarri preferoi Maxhon në të djathtë dhe Hysajn në të majtë, eksperiment ky që rezultoi jo i suksesshëm.

Në këtë pikë, Sarri bëri ndryshime të rëndësishme, duke sakrifikuar Maxhon dhe duke kthyer Hysajn në krahun e djathtë, që është edhe pozicioni i tij natyral, ndërkohë që përgjegjësinë për krahun e majtë ia dha Gulamit. Kjo lëvizje i solli përfitime skuadrës së Napolit, duke parë edhe bashkëpunimin perfekt të këtyre dy lojtarëve me qendërmbrojtësit Albiol dhe Kulibali.

Napoli është kthyer në një bunker, pasi në 12 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm 8 gola me Gulamin që është përmirësuar në mbulimet në krahë, ndërkohë që Hysaj është akoma më i dobishëm si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Kjo ka bërë që reparti i prapavijës të përmirësohet ndjeshëm, ndërkohë që sulmi është ndër më të frikshmit e Serisë A.

Klasifikimi tregon se Napoli është një kandidat shumë i fortë për titullin në Itali dhe e gjithë kjo ka ardhur falë intuitës së trajnerit Sarri, i cili ka ditur të ndryshojë idetë e tij.

Top Channel