Miqësorja ndaj Gjeorgjisë, De Biasi pritet të provojë lojtarë të rinj

16/11/2015 00:00

Mungesat e Hysajt, Memushajt dhe së fundmi e Balajt, do t’i japë mundësinë trajnerit Gianni De Biasi të eksperimentojë taktika dhe lojtarë të rinj në ndeshjen e sotme miqësore ndaj Gjeorgjisë.

Në dyshim është edhe aktivizimi i kapitenit Lorik Cana, i cili ka pësuar një dëmtim në ndeshjen Kosovë-Shqipëri. Burime pranë kampit kuqezi pohojnë për Top Channel se qendra e mbrojtjes do të përbëhet nga Ajeti dhe Veseli. Për këtë të fundit, ky është një rast i mirë për t’i treguar teknikut italian mbi vlerat që ka si një qendërmbrojtës.

Në repartet e tjera do të ketë ndryshime dhe pritet që në formacionin e parë të jenë ata futbollistë të cilët kanë më pak minuta me kombëtaren.

Sfida ndaj Gjeorgjisë, e cila do të transmetohet në Supersport, do të jetë e fundit për kuqezinjtë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, impiant ky që në janar pritet të shembet e më pas të fillojnë punimet për rindërtimin e tij.

Top Channel