NBA, Lakers arrin fitoren e dytë sezonale

16/11/2015 10:40

Los Angeles Lakers rigjen suksesin në NBA. Skuadra kaliforniane regjistroi suksesin e dytë sezonal pasi mposhti në “Staples Center” skuadrën e Detroit Pistons me rezultatin 97-85. Lakers e bëri diferencën në këtë takim në periodën e katërt, të cilën e mbylli 31-19, ndërkohë që 3 të parat ishin në ekuilibër të plotë. Kobe Bryant dhe Jordan Clarckson ishin ata që udhëhoqën Lakers drejt kësaj fitoreje, duke shënuar secili nga 17 pikë.

Memphis Grizzlies fitoi një tjetër ndeshje, duke e çuar bilancin e saj në 5 fitore dhe 6 humbje. Këtë radhë, skuadra e Grizzlies mposhti Minnesota Timberwolves në “Target Center” me rezultatin 114-106. Minnesota u shfaq më mirë në periodën e parë dhe të tretë, ndërsa Memphis kryesoi në periodën e dytë dhe të katërt me diferenca më të larta pikësh në krahasim me Minnesotën, duke e arkivuar në favorin e saj këtë sfidë. Goeff Green ishte ai që spikati më shumë për Grizzlies me 21 pikë të shënuara. Për Minnesotën nuk mjaftuan 25 pikët e Lavine për të evituar humbjen e 6 sezonale.

Në ndeshjet e tjera të NBA, New York Knicks shënoi fitoren e tretë radhazi pasi triumfoi ndaj New Orleans Pelicans 95-87, Atlanta Hawks humbi ndaj Utah Jazz 96-97, Sacramento Kings fitoi me Toronto Raptors 107-101, ndërsa Oklahoma City Thunder u mund nga Boston Celtics 85-100.

Top Channel