Dita botërore e viktimave të aksidenteve rrugore në Kosovë

15/11/2015 16:30

Në ditën botërore të viktimave të aksidenteve rrugore, në Prishtinë janë përkujtuar 106 personat të cilët kanë humbur jetën brenda vitit 2015.

Aktivitetet për shënimin e kësaj dite kanë filluar me konferencën e përbashkët nga Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku u bë e ditur se shkaktar kryesor i aksidenteve është pakujdësia e drejtuesve.

“Shkaktarë të aksidenteve rrugore, sidomos në aksidente me përgjegjësi, është pakujdesia e drejtuesve, tejkalimi i shpejtësisë, mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, kyçjet e pasigurta, po ashtu edhe mosmbajtja e distancës mes mjeteve. Ndërsa, sa i përket shkaktarëve të aksidenteve me fatalitetet, vazhdon të jetë tejkalimi i shpejtësisë si shkaktar kryesor. Shkaktari kryesor po vazhdon të jetë faktori njeri”, u shpreh Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës.

Ministria e Infrastrukturës ka miratuar strategjinë për sigurinë rrugore në korrik të këtij viti, e cila synim kryesor ka uljen e numrit të aksidenteve  rrugore.

“Do të jetë prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës, në vitet e ardhshme, që të zvogëlohet numri i aksidenteve. Ministria e Infrastrukturës, prej janarit deri në qershor të këtij viti, afërsisht ka shpërndarë reth 20 mijë broshura në 158 shkolla, duke përshirë 25 komuna”, tha drejtori i Departamentit të Transportit Tokësor në Ministrinë e Infrastrukturës, Xhemë Veseli.

Aktivitete kanë vazhduar me marsh protestues nga disa qytetarë përgjatë shesheve kryesore në kryeqytet, nga ku është bërë thirrje për respektimin e ligjit në qarkullimin rrugor.

“Qytetarët të jenë në funksion dhe në respektim të ligjit të plotë, ndërsa institucionet të punojnë më efektshëm për të siguruar një siguri për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë”, tha Muhamet Krasniqi nga këshilli organizativ.

Ndërsam pranë monumentit “Newborn” është inskenuar një çiklist i aksidentuar me qëllim shtimin e vetëdijes qytetare për më shumë kujdes  në rrugë.

“Është tmerruese për shkak se është numri tepër i madh dhe në këtë mënyrë ne e shohim se armiku kryesor i tanishëm është mos kujdesi i shtuar në trafik dhe i ftojmë të gjithë pjesëmarrësit e komunikacionit të kenë një kujdes të shtuar”, tha Besnik Ejupi.

Nën përcjellje të Policisë së Kosovës, çiklistët kanë nisur marshin në drejtim të qytetit të Pejës, si një ndër magjistralet më të frekuentuara në vend.

Top Channel