Paris, Le Graet lëshon alarmin për Euro 2016

15/11/2015 00:00

Pas sulmeve terroriste në Paris lëshohet edhe alarmi i parë për Europianin e futbollit të vitit 2016, në program për t’u zhvilluar verën e ardhshme pikërisht në Francë. Alarmi vjen nga numri një i Federatës franceze të Futbollit.

“Janë marrë shumë masa paraprake për të siguruar mbarëvajtjen normale të atij turneu, por shihet qartë se terroristët mund të godasin në çdo moment, – është shprehur Noel Le Graet për “L’Equipe”. – Sigurisht që ka pasur shqetësime mbi Europianin, por tashmë janë shtuar edhe më shumë. Mendimet e mia momentalisht janë për familjet e viktimave”.

Për të parën herë në histori, në një Europian do të marrin pjesë 24 skuadra. Do të zhvillohet gjithsej 51 ndeshje, me mbi 500 lojtarë të përfshirë. Do të jenë gjithsej 10 stadiume, ku do të luhen sfidat e shumëpritura të Europianit 2016, që nis më 10 qershor dhe do të përfundojë më 10 korrik të vitit të ardhshëm.

Stadiumet dhe qytetet respektive ku do të luhen ndeshjet janë: Parisi (Parc des Princes dhe Saint Denis), Marseja (Velodrome), Lioni (Stade de Lumieres), Lilë (Stade Pierre-Mauroy), Bordoja (Matmum Atlantique), Tuluza (Stadium Municipal), Lens (Stade Felix Bollaert), Nisë (Allianz Riviera), Saint-Etienne (Stade Geoffroy Guichard).

Pas ngjarjeve të fundit, sigurisht që do të priten masa sigurie edhe më të larta nga sa mund të mendohej fillimisht.

FOTO GALERI
1/1
Qytetet ku do te zhvillohet Europiani i Francës

Top Channel