Mustafa, në Istog për gurthemelin e Memorialit të Ibrahim Rugovës

15/11/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të memorialit në qendër të Istogut, kushtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Gjatë vizitën në vendlindjen e Ibrahim Rugovës, kryeministri kosovar shoqërohej edhe nga djali i madh i Rugovës, Mendimi, i cili mban edhe postin e zëvendësministrit në Qeverinë e Mustafës.

Kryeministri kosovar tha se, komuna e Istogut ka arritur progres, ndërsa i premtoi kryetarit të saj, Haki Rugovës, edhe më shumë investime pas financimit të memorialit për Ibrahim Rugovën.

“Ne biseduam me kryetarin e Istogut, lidhur me proceset që po kalon kjo komunë. Është me rëndësi të theksohet se, kjo është një komunë që ka arritur rezultate shumë të mëdha në zgjidhjen e problemeve për qytetarët edhe në fushën e arsimit, kulturës dhe ndërtimet, por dhe në infrastrukturë. Jemi këtu të shohim punët, që po zhvillohen në muzeun memorial të Presidentit Ibrahim Rugova, që do të financohen kryesisht nga buxheti i Kosovës, por edhe nga pjesëmarrja e komunës së Istogut. Është fjala për nderimin e një njeriu të madh, të presidentit të Republikës së Kosovës, i cili ka dhënë shumë për shtetin e Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Sot është një rast i veçantë, do të vendoset gurthemeli në qendër të Istogut për nder të Presidentit Rugova. Punimet e këitj memoriali kanë filluar dhe do të përfundojnë në një fazë të ardhshme. Kam premtime e përkrahje edhe për projektet e tjera në infrastrukturë, sidomos në projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik dhe punësimin e qytetarëve të Istogut”, tha Haki Rugova, kryetar i Istogut.

Gjatë qëndrimit në Istog, kryeministri Mustafa ka vizituar edhe burimin e ujit, ku është njohur me punimet që po kryhen për rregullimin e tij, që po synohet të bëhet shëtitore për banorët e qytetit dhe për vizitorët.

Top Channel