Kosova dënon sulmet në Paris, e diela shpallet ditë zie

14/11/2015 00:00

Autoritetet qendrore të Kosovës kanë dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste. Kryeminsitri Isa Mustafa, Presidentja Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi janë shprehur të shokuar nga sulmet e së premtes në Paris që morën jetën e mbi 150 njerëzve, ndërsa kanë deklaruar se Kosova qëndron me popullin francez kundër terrorizmit.

Nëpërmjet një deklarate, kryeministri Mustafa ka shprehur dhimbjen e thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris, duke dënuar fuqishëm ato që i quajti “përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste”, përmes të cilave po synohet të mbillet frika në tërë botën e civilizuar.

Në të njëjtat linja ka qenë edhe presidentja Atifete Jahjaga. “E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook. Gjithashtu, kryetarja e shtetit ka shpallur të dielën dite zie dhe flamujt në gjithë Kosovën do të jenë të ulur në gjysmështizë.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova lutet për familjet dhe popullin francez pas asaj që ndodhi të premten.

Ndërkohë, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ministri i Brendshëm Skënder Hyseni vizituan Ambasadën e Francës në Prishtinë,  për t’i shprehur ngushëllime të drejtpërdrejta ambasadores franceze, Marys Daviet.

“Dua të theksoj se bota duhet të bashkohet kundër terrorizmit, i cili nuk po kursen asnjë komb në rruzullin tokësor”, tha Hyseni pas takimit.

Ai bëri me dije se policia dhe strukturat e tjera përkatëse po kryejnë veprime konkrete për parandalimin e sulmeve eventuale, që kanë përfshirë edhe rritjen e masave të sigurisë.

“Kjo nuk do të thotë që ne kemi paralajmërim direkt, por këto janë veprime rutinore që duhet të bëhen për të siguruar që vendit të mos i ndodhin të tilla gjëra”, tha Hyseni.

Top Channel