Gjykatësja Lubinka Beshevska ka paralajmëruar kreun e Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, se do të shoqërohet me polici në gjykatë, nëse nuk paraqitet në seancën e radhës për rastin “Puç”.

Udhëheqësi i socialdemokratëve maqedonas, këtë të premte, për të pestën herë me radhë nuk ka marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër tij, që nisi menjëherë pas publikimit të skandalit të përgjimeve.

Gjykatësja e çështjes ka thënë se është e detyruar, që të urdhërojë shoqërimin e Zaevit me polici në seancën e radhës, duke e akuzuar atë se po tallet me gjykatën.

Zoran Zaev dhe 3 persona të tjerë akuzohen për veprat penale “spiunazh” dhe “tentativë për marrjen e dhunshme të pushtetit” të zgjedhur në mënyrë demokratike, duke publikuar materialet e përgjuara të siguruara në mënyrë joligjore.

Përmes një reagimi me shkrim, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë ka njoftuar se kreu i kësaj partie do të paraqitet në seancën e radhës, më 2 dhjetor, vetëm nëse rasti kundër tij do të hetohet nga Prokuroria Speciale.

Udhëheqësi i LSDM-së nuk i njeh gjykatat e Maqedonisë, pasi vlerëson se ato i ka nën kontroll të plotë kryeministri Nikola Gruevski.

Kërkesa për shoqërimin e Zaevit në gjykatë do të vendosë në situatë të vështirë ministrin e ri të Brendshëm, nga radhët e LSDM-së, Oliver Spasovski. Ai nuk është prononcuar ende, nëse policia do të zbatojë urdhrin për shoqërimin e udhëheqësit të partisë së tij në gjykatë.

Top Channel