NBA, 10 fitore radhazi për Golden State Warriors

13/11/2015 11:10

Golden State Warriors nuk ka ndërmend të ndalet në NBA. Kampionët në fuqi mundën Minnesota Timberwolves dhe regjistruan fitoren e 10 në po kaq ndeshje, duke barazuar rekordet e Boston Celtics në vitin 1958 dhe 1965 dhe Chicago Bulls në vitin 1997. Si zakonisht, protagonist për Warriors u bë Stephen Curry, i cili në këtë ndeshje shënoi plot 46 pikë, 21 nga të cilat vetëm në periodën e parë, ndërkohë që u tregua i saktë në 8 gjuajtje nga distanca e 3 pikëve. Një tjetër basketbollist që spikati ishte edhe Draymond Grieen, i cili e mbylli takimin me 23 pikë, 12 asist dhe 8 topa në tabelë.

Los Angeles Clippers bie në parketin e Phoenix Suns. Skuadra kaliforniane e humbi këtë ndeshje me rezultatin 104-118. Los Angeles Clippers nuk kishte në dispozicion në këtë përballje Chris Paul dhe JJ Redick, ndërkohë që gjatë saj humbi edhe shërbimin e DeAndre Jordan për një dëmtim në shpatull, ndërkohë që Blake Griffin u përjashtua nga ndeshja për faull teknik. Kjo situatë e bëri akoma më të lehtë detyrën për Phoenix, që arriti t’i imponohej Los Angeles Clippers falë Knight me 37 pikë dhe Bledsoe me 26 pikë, 10 topa në tabelë dhe 9 asist.

Fitore shënoi edhe Miami Heat, pavarësisht mungesës së Dwayne Wade. Skuadra nga Florida mposhti Utah Jazz 92-91 dhe kjo falë paraqitjes së mirë të Chris Bosh me 25 pikë dhe Tyler Johnson me 17 pikë. Utah duket se e ndjeu mungesën e Rudy Gobert në këtë përballje.

Top Channel