Jo vetëm uria, problem është edhe kequshqyerja

12/11/2015 16:15

Problem në botën sot nuk është vetëm uria, por edhe kequshqyerja. 800 milionë vetë llogaritet të vuajnë prej urisë, 2 miliardë ushqehen jo mjaftueshëm e 2 miliardë të tjerë janë mbi peshë.

Vështirësitë financiare i shtyjnë njerëzit që nuk kanë mundësinë e një konsumi të rregullt të zarzavateve dhe frutave drejt një përdorimi të tepruar të yndyrnave dhe karbohidrateve. Në krahasim me personat që kanë peshë normale, ata që si rregull ushqehen me shumë kalori dhe pak vlera ushqyese, duke shtuar kështu pa kontroll kilet në trup, janë shumë herë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve si diabeti dhe shqetësimeve në sistemin e qarkullimit të gjakut apo llojeve të ndryshme të kancerit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dalë në përfundimin se në ditët tona, mbipesha dhe obeziteti shkaktojnë më shumë vdekje se uria. Shifrat e ofruara prej saj tregojnë se 2,5 milionë njerëz vdesin çdo vit nëpër botë për shkak të obezitetit. Vende si Kina apo Meksika, që arritën ta ulin përmes përpjekjesh të vazhdueshme nivelin e urisë, janë përballur së fundi me shtimin e personave mbipeshë.

Sipas ekspertëve, ky nuk është një fenomen i pazakontë për vendet ku mënyra e të ushqyerit po shkon drejt konsumimit të ushqimeve të përpunuara dhe tepër kalorike. Ata sjellin si shembull ilustrues rastin e Filipineve, ku makaronat e çastit blihen kryesisht nga të varfrit sepse janë më të lira se orizi vendas, ndërsa vlerat më të mëdha ushqimore i ka padyshim ky i fundit.

Vlerat e pakta ushqyese janë shndërruar në një çështje e të ashtuquajturës “uria e heshtur“, e cila prek rreth 2 miliardë njerëz në mbarë globin. Specialistët vërejnë se pasojat e të ngrënit keq janë tepër të mëdha, sidomos për të vegjlit, pasi mungesa e lëndëve ushqyese në fëmijëri ka pasoja për tërë jetën. Trupi sëmuret më shpejt dhe nuk zhvillohet siç duhet, e dëmi nuk rekuperohet më edhe nëse më vonë këta fëmijë, tashmë të rritur, do të ushqeheshin më mirë.

Top Channel